Tetë OJF kryesore nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor janë bashkuar në një rrjet për të luftuar dhunën dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve në internet apo dëmtimeve të tjera që mund t’ju ndodhin në hapësirën dixhitale. Ballkani Perëndimor për shkak të mungesës së legjislacionit, politikave dhe teknologjisë së përparuar rrezikon seriozisht të bëhet një parajsë për dhunën seksuale online ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve.
Tiranë, 7 shkurt 2025 – Tetë organizata kryesore në kuadër të nevojës urgjente për të mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë në Ballkanin Perëndimor nga rreziqet dhe kërcënimet online, njoftuan sot ngritjen e Rrjetit i Qendrave për Sigurinë e Fëmijëve në Internet të Ballkanit Perëndimor (Rrjeti WB-SIC). Rrjeti sjell së bashku disa nga qendrat më të profesionale në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes në hapësirën kibernetike, si dhe partnerë të angazhuar aktivisht në mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve në mjedisin dixhital, në: Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.
Vetëm në vitin 2023, Ballkani Perëndimor raportoi më shumë se 80 mijë raste që përmbanin materiale të abuzimit seksual të fëmijëve, një rritje gjashtëfish krahasuar me periudhën para-Covid. Qendrat e Internetit të Sigurt në vendet e Ballkanit, kanë kontribuar në heqjen e më shumë se 80% të përmbajtjes së këtyre materialeve. Ndërsa teknologjia dixhitale bëhet edhe më e rëndësishme në jetën e fëmijëve dhe të rinjve, është thelbësore që ata të jenë të mbrojtur nga rreziqet që ndeshin në hapësirën dixhitale.
Raporti i fundit i iSIGURT.al tregon se numri i incidenteve të raportuara nga fëmijët nga viti 2023 deri në vitin 2024 është dyfishuar. Fëmijët raportojnë përmbajtje ekstreme të papërshtatshme, bullizëm kibernetik, lojëra të rrezikshme, seks-zhvatje në internet, dhunë e ngamcime seksuale dhe shkelje të privatësisë.
Rrjeti ka për qëllim të nxisë bashkëpunimin midis institucioneve, shoqërisë civile dhe industrisë së internetit, për të nxitur rritjen e sigurisë dhe mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve në botën dixhitale, edukimin dhe ngritjen e kapaciteteve të prindërve dhe profesionistëve, si dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve dixhitalë – publikut të gjerë.
Ndër objektivat kryesore të Rrjetit do të jetë ofrimi i mbështetjes online dhe offline për viktimat, parandalimi i dhunws seksuale online dhe shfrytëzimit të fëmijëve dhe të rinjve, forcimi i kornizës ligjore dhe rregullatore në BP6, forcimi i bashkëpunimit midis vendeve dhe industrisë së internetit, si dhe avokatwsi për zbatimin e Acquis të BE-së.
Rrjeti do të funksionojë bazuar në disa parime thelbësore, të tilla si qasjet e përqendruara të fëmijëve dhe të rinjve, pjesëmarrja dhe fuqizimi i fëmijëve, partneritetet dhe inovacioni. Themeluesit kanë bërë thirrje që të gjitha autoritetet publike dhe ato të OSC-së që punojnë në fushën e të drejtave dixhitale dhe mbrojtjes së fëmijëve të bashkohen me Rrjetin për të mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë në Ballkanin Perëndimor nga dhuna dhe shfrytëzimi dhe çdo dëm tjetër dixhital.