Tiranë, 12 Mars 2025 – Me organizimin e mbi 30 aktiviteteve sensibilizuese dhe përfshirjen e mbi 2,000 fcmijëve dhe prindërve, fushata për Ditën dhe Muajin e Internetit të Sigurt 2025 është mbyllur me sukses. Platforma Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri – iSIGURT.al, në bashkëpunim me CRCA Shqipëri dhe ALO 116-111, ka zhvilluar aktivitete të shumta në shkolla, qendra komunitare dhe qendra shëndetësore, duke u fokusuar në ndërgjegjësimin mbi sfidat dhe rreziqet në hapësirën dixhitale.
Në kuadër të kësaj fushate, u mbajt Forumi i 10-të Kombëtar: “Së Bashku kundër Bullizmit dhe Gjuhës së Urrejtjes në Hapësirën Kibernetike”, ku morën pjesë institucione të rëndësishme si Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Autoriteti Shtetëror për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve (ASHDMF), Policia e Shtetit dhe Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH). Gjatë Forumit u prezantua Raporti Kombëtar i iSIGURT.al për vitin 2024, i cili tregoi një rritje me 60% të raportimeve krahasuar me vitin e kaluar, ku shqetësimet kryesore ishin gjuha e urrejtjes, bullizmi dhe kërcënimet online.
Një nga nismat më të rëndësishme të fushatës ishte zhvillimi i seancave informuese në 1,100 shkolla, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, ku mësuesit mbajtën orë të dedikuara për sigurinë kibernetike. Po ashtu, bashkëpunimi me Këshillin e Prindërve në shkollat e Tiranës ndihmoi në rritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet online dhe masat mbrojtëse që duhet të ndërmerren. Për më tepër, Platforma iSIGURT.al dhe ALO 116-111 nisën hartimin e protokolleve profesionale për punonjësit socialë, psikologët dhe mësuesit, me qëllim adresimin më efektiv të rasteve të rrezikut në internet.
ALO 116-111 ofroi mbështetje 24/7 për fëmijët dhe të rinjtë, duke trajtuar 954 thirrje, nga të cilat 15 raste kishin të bënin me sigurinë në internet. Në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, u identifikuan dhe mbyllën 5 faqe të dëmshme, ndërsa u zbuluan individë që shantazhonin vajza të reja me përmbajtje të paligjshme, duke ndihmuar në mbrojtjen e të miturve nga rreziqet online.
Fushata për Ditën e Internetit të Sigurt pati një shtrirje të gjerë në media dhe rrjete sociale, duke përfshirë publikimin e 1200 artikujve në media të shkruara, 6 transmetime radiofonike dhe 12 paraqitje televizive. Gjithashtu, numri i ndjekësve në rrjetet sociale u rrit ndjeshëm, me 2059 ndjekës të rinj në Facebook dhe 1976 në Instagram, ndërkohë që pati një angazhim të lartë edhe në platforma si LinkedIn, TikTok, YouTube dhe X (Twitter).
Ky muaj sensibilizues ka treguar edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për të siguruar një mjedis më të sigurt online për fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri. iSIGURT.al, CRCA Shqipëri, ALO 116-111 dhe partnerë të tjerë angazhohen të vazhdojnë punën për forcimin e mekanizmave mbrojtës dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi sigurinë në internet.