Për herë të parë Dita Ndërkombëtare për Internet të Sigurt organizohet e përbashkët ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Në Shqipëri fushata fokusohet tek bullizmi dhe urrejtja në hapësirën dixhitale, si dhe fëmijët me aftësi të kufizuara, ndërsa në Kosovë tek mbrojtja e fëmijëve në internet, duke sjellë së bashku institucionet dhe organizatat më të rëndësishme të të dyja vendeve.
Tiranë, 11 Shkurt 2025 – Shqipëria dhe Kosova hapën sot aktivitetet për Ditën Ndërkombëtare të Internetit të Sigurt, e cila korrespondon edhe me hapjen e Fushatës Kombëtare “Së bashku për Internet më të Sigurt”, që zgjat përgjatë të gjithë muajit Shkurt. Fushata, për herë të parë, sjell së bashku, si pjesë e Komitetit organizator të saj, institucionet dhe organizatat kryesore të shoqërisë civile, si dhe industrinë e internetit. Fushata mbështetet nga nisma NetSmartKids Shqipëri, e bashkë-financuar nga Bashkimi Europian dhe CRCA Shqipëri.
Fushata nisi sot në mëngjës, ku në një sërë shkollash anembanë Shqipërisë Ministria e Arsimit si dhe organizatat partnere mbajtën një një orë mësim sesi fëmijët mund të jenë më të sigurtë dhe me të mbrojtur online.
Gjatë muajit, Komiteti Drejtues i Fushatës ka planifikuar të ndërmarrë një sërë aktivitetesh dhe iniciativash të reja për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga bullizmi dhe gjuha e urrejtjes në hapësirën kibernetike.
Në kuadër të fushatës, në 13 Shkurt në Tirana Hotel International do të mbahet Forumi i 10-të Kombëtar: Së Bashku kundër Bullizmit dhe Gjuhës së Urrejtjes në Hapësirën Kibernetike, ku do të publikohet raporti mbi incidentet në internet të raportuara nga fëmijët dhe adoleshentët pranë iSIGURT,al – Qendra Kombëtare për Sigurinë në Internet.
Këtë vit hapja e Ditës së Internetit të Sigurt bëhet në bashkëpunim me Kosovën, ku gjatë këtij muaji iSIGURT në bashkëpunim me autoritetet kosovare do të bashkë-organizojnë Forumin e Hapur “Drejt një mbrojtje më të mirë të fëmijëve në hapësirën kibernetike”.
Një tjëtër aktivitet i rëndësishëm i Fushatës është edhe krijimi i Aleancës Kombëtare kundër Bullizmit dhe Gjuhës së Urrejtjes në Internet, një rrjet joformal që do të sjellë së bashku organizata, institucione dhe ekspertë për të avokuar për një hapësirë dixhitale më të sigurt dhe më të mbrojtur për qytetarët.
Për herë të parë fushata do të fokusohet tek fëmijët dhe adoleshentët me aftësi të kufizuar, që është një ndër grupet më të harruara në hapësirën dixhitale. Forumi i Hapur: “A janë fëmijët me aftësi të kufizuar të mbrojtur në hapësirën dixhitale?”, do të bashkëorganizohet nga MEDPAK, iSIGURT.al dhe ALO 116-111, ndërkohë që Shërbimi Social Shtetëror dhe CRCA Shqipëri do të organizojnë një konsultim online me të gjithë profesionistët e mbrojtjes së fëmijëve dhe të shërbimeve sociale në Shqipëri.
Fushata vijon edhe me aktivitete të tjera të cilat përfshijnë takime informuese në shkollat e arsimit publik, performanca artistike lidhur me pasojat e dhunës dhe shfrytëzimit seksual online dhe offline, interpretuar nga artistja e njohur dhe Ambasadorja e Internetit të Sigurt, Ema Andrea si dhe promovimin e Ambasadorëve të Internetit të Sigurt në shkolla.
Fushata Kombëtare “Së bashku për Internet më të Sigurt” synon të krijojë një hapësirë kibernetike më të sigurt për të gjithë, përmes edukimit, ndërgjegjësimit dhe bashkëpunimit mes institucioneve, organizatave dhe qytetarëve, duke theksuar që nëse punojmë të gjithë në të njëjtin drejtim mund të krijojmë një hapsirë onlinë pa frikë për fëmijët dhe të rinjtë.