DITA E INTERNETIT TË SIGURT

Ju ftojmë të përfshiheni në diskutime të nevojshme në mendime rreth rëndësisë së jetës sonë në internet. Krijimi i një hapësire të respektueshme për këto biseda është thelbësore.

11 Shkurt 2025

Zbuloni më shumë dhe përfshihuni

Bëhu pjesë e Fushatës Kombëtare: Së bashku për një internet më të sigurt për fëmijët!

E Martë, 11 Shkurt 2025

Së bashku për një internet më të sigurt për fëmijët!

Dita e Internetit të Sigurt (SID) organizohet çdo vit në fillim të muajit shkurt, për të nxitur përdorimin e sigurt dhe pozitiv të teknologjisë dixhitale, veçanërisht nga fëmijët dhe të rinjtë. Në Shqipëri kjo ditë organizohet nga Qendra për Internet të Sigurt në Shqipëri (iSIGURT.al) në partneritet të ngushtë me CRCA/ECPAT Shqipëri, ALO 116-111, si dhe Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Policinë e Shtetit, Agjecinë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Shërbimin Social Shtetëror, Save the Children, SHKEJ dhe MEDPAK.

Fushata hapet në 11 Shkurt dhe zgjat deri në 28 Shkurt 2025. Anembanë vendit do të organizohen një sërë aktivitetesh ndërgjegjësuese për fëmijët dhe të rinjtë, prindërit dhe mësuesit, punonjësit e mbrojtjes së fëmijëve dhe ata të shërbimeve shoqërore, ndërkohë që pjesë e diskutimeve do të bëhet edhe nevoja për një legjislacion adekuat për forcimin e mbrojtjes së fëmijëve në hapësirën dixhitale.

Dita e Internetit të Sigurt bën së bashku miliona njerëz në të gjithë botën për të sjellë ndryshime pozitive në hapësirën kibernetike dhe për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e sigurisë. Edhe ju mund të luani rolin tuaj në këtë drejtim!

Dita e Internetit të Sigurt synon të krijojë një internet më të sigurt dhe më të mirë, ku të gjithë jemi të fuqizuar të përdorim teknologjinë me përgjegjësi, respekt, kritikë dhe kreativitet. Fushata synon të arrijë tek fëmijët dhe të rinjtë, prindërit dhe kujdestarët, mësuesit, edukatorët dhe punonjësit socialë, industrinë e internetit dhe komunikimit, vendimmarrësit dhe politikanët etj., për të inkurajuar të gjithë që të luajnë rolin e tyre në krijimin e një mjedisi në internet sa më të mirë për këdo. Duke festuar fuqinë pozitive të internetit, slogani i Ditës për Internet të Sigurt “Së bashku për një internet më të mirë”, e cila inkurajon këdo që t’i bashkohen fushatës, duke marrë pjesë dhe shfrytëzuar sa më shumë potencialin e internetit për të bashkuar njerëzit.

Në Shqipëri, #SID2025 organizohet që nga viti 2005. Këtë vit, të gjithë partnerët e Fushatës do të organizojnë aktivitete anembanë vendit, ndërkohë që aktivitetet kryesore të parashikuara deri tani, janë:

  • Hapja e Fushatës Kombëtare “Së bashku për Internet më të Sigurt” në 11 Shkurt 2025 në shkolla, media dhe në rrjete sociale. Fushata këtë vit organizohet e koordinuar ndërmjet autoriteteve publike, shoqërisë civile dhe partnerëve nga industria e internetit. Në shkollat e arsimit publik ora e parë e mësimit do t’i dedikohet informimit të fëmijëve sesi të mbrohen nga bulizmi dhe gjuha e urrejtjes në hapësirën kibernetike. Partnerët tanë ALO 116-111, Save the Children, SHKEJ, AKSK dhe ASHMDF do të organizojnë takime ndërgjegjësues me prindërit, mësuesit dhe nxënësit në shkolla dhe në komunitet. 
  • Forumi 10-të Kombëtar për Internetin e Sigurt, që këtë vit i dedikohet luftës kundër bullizmit dhe gjuhës së urrejtjes në Internet ndaj fëmijëve dhe grupeve të margjinalizuara. Forumi është një event i përvitshëm dhe një hapësirë diskutimi, prezantimi dhe krijimi i nismave të përbashkëta ndërmjet autoriteteve publike, shoqërisë civile dhe industrisë së internetit.
  • Prezantimi i Raportit Kombëtar të Incidenteve në Internet në Shqipëri, që është një publikim i përvitshëm që tregon për incidentet që kanë raportuar pranë iSIGURT.al fëmijët dhe adoleshentët gjatë navigimit të tyre në internet. Autoritetet publike dhe partnerët tanë, si Policia e Shtetit dhe AKSK prezantojnë gjithashtu të dhënat dhe problemet e ndeshura nga ta gjatë vitit 2024 në hapësirën kibernetike.

 

  • Krijimi i Aleancës Kombëtare kundër Bullizmit dhe Gjuhës së Urrejtjes Online, si një rrjet joformal i organizatave, ekspertëve dhe institucioneve që duan të avokojnë për sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve në hapësirën dixhitale si dhe fuqizonte zërin tonë në një fushë të re, por kaq të rëndësishme, si një përgjigje e koordinuar përkundrejt nevojës për më shumë mbrojtje për fëmijët dhe të rinjtë.

 

  • Një hapësirë e veçantë këtë vit i dedikohet fëmijëve dhe të rinjve dhe fuqizimit të tyre për përdorimin pozitiv dhe me respekt të hapësirës kibernetike. Për këtë qëllim i SIGURT do të shpallë “Ambasadorët e Internetit të Sigurt në Shkolla” fillimisht në Tiranë e më pas në të gjithë Shqipërinë.

 

  • Për herë të parë ne do t’i dedikojmë një hapësirë sigurisë në hapësirën kibenetike të fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuar. Partneri ynë MEDPAK dhe al do të organizojnë “Forum i Hapur: A janë fëmijët me aftësi të kufizuar të mbrojtur në hapësirën dixhitale?” – ku prindërit dhe organizatat që punojnë për fëmijët me AK do të ndajnë eksperiencën e tyre dhe problemet që janë evidentuar deri më tani.

 

  • Së bashku me Shërbimin Social Shtetëror dhe ASHMDF do të organizojmë Forumin online: “Mbrojtja e Fëmijëve në hapësirën dixhitale: Roli i profesionistëve në qendrat residenciale dhe atyre të mbrojtjes së fëmijëve”.

 

  • Së fundi, një performancë artistike mbi pasojat e dhunës dhe shfrytëzimit seksual online dhe offline, do të vendoset në skenë nga artistja e mirënjohur dhe Ambasadorja jonë e Internetit të Sigurt: Ema Andrea. “Lojra në oborrin e pasmë” sjell dramën e një vajze të dhunuar e të shfrytëzuar seksualisht që bëhet viktimë e bullizmit dhe urrejtjes online.

 

Secili nga ne mund t’a bëjë internetin më të sigurt. Nëse doni t’i bashkoheni fushatës dhe të luani një rol pozitiv në vendin e punës, në komunitetin ku jetoni, apo familjen tuaj, na shkruani në adresën tonë: isigurt@crca.al

 

Facebook
Twitter
LinkedIn
WhatsApp

Mëso dhe Ndaj Njohuritë për Sigurinë Online!

Në seksionin Fletushka, mund të gjesh materiale informuese që të ndihmojnë të kuptosh më mirë rreziqet dhe sigurinë në internet. Këto fletushka janë të dizajnuara për t’u lexuar, shkarkuar dhe printuar lehtësisht, në mënyrë që të mund t’i ndash me familjen, miqtë dhe komunitetin tënd.

Deklarata e Privatësisë dhe Mbrojtjes së të Dhënave

Duke bërë një raportim në platformën iSIGURT.al – Qendra për Mbrojtjen dhe Përdorimin e Internetit të Sigurt, ju pranoni dhe bini dakord me rregullat tona të privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale.
 
Mbrojtja e të Dhënave Tuaja
1.Konfidencialiteti – Të gjitha informacionet që dorëzoni trajtohen me kujdes dhe konfidencialitet të plotë.
2.Përdorimi i të Dhënave – Të dhënat e mbledhura do të përdoren vetëm për trajtimin e raportimit tuaj dhe për përmirësimin e sigurisë në internet.
3.Mosndarja e të Dhënave – Informacioni juaj nuk do të ndahet me palë të treta pa miratimin tuaj, përveç rasteve të përcaktuara me ligj.
4.Ruajtja e të Dhënave – Të dhënat ruhen në sisteme të sigurta dhe aksesohen vetëm nga personeli i autorizuar.
 
Pajisja me Pëlqimin Tuaj
 
Duke bërë një raportim, ju konfirmoni se:
✅ Keni lexuar dhe kuptuar këtë deklaratë të privatësisë.
✅ Jeni dakord që iSIGURT.al të përpunojë të dhënat tuaja në përputhje me rregullat e sigurisë dhe privatësisë.
✅ Jeni të vetëdijshëm se mund të kërkoni fshirjen ose ndryshimin e të dhënave tuaja në çdo kohë duke kontaktuar qendrën tonë.
 
iSIGURT.al është këtu për të mbrojtur privatësinë dhe sigurinë tuaj në internet.
 
Nëse keni pyetje ose shqetësime, ju lutemi na kontaktoni!