iSIGURT.al – Platforma Kombëtare për Internet të Sigurt, për herë të parë që nga viti 2015, publikoi në kuadër të Ditës së Internetit të Sigurt dy raporte kombëtare, njëri për sigurinë kibernetike të fëmijëve dhe tjetri për gjuhën e urrejtjes ndaj vajzave dhe grave për vitet 2018-2023. Raportet çojnë shqetësimin se hapësira dixhitale nuk është e sigurtë jo vetëm për fëmijët, por edhe për vajzat e gratë, të cilat janë viktimat kryesore të gjuhës së urrejtjes dhe dhunës seksuale online.
Tiranë, 7 Shkurt 2024 – iSIGURT.al, Platforma Kombëtare për Sigurinë në Internet bëri publike sot në mëngjës gjatë Forumit të 9-të Kombëtar “Të bashkuar për Sigurinë në hapësirën Kibernetike” gjetjet dhe rekomandimet e dy raporteve të saj: Raporti i përvitshëm i incidenteve të fëmijëve në Internet dhe Raporti “Të Braktisura” – Raport Kombëtar mbi Gjjuhën e Urrejtjes online ndaj vajzave dhe grave në Shqipëri për periudhën 2018-2023.
Raporti Kombëtar për Sigurinë në Hapësirën Kibernetike të Fëmijëve në Shqipëri, paraqiti si gjetjet e tij më shqetësuese këto të dhëna:
- Krahasuar me vitin e kaluar vihet re një rritje me 160 përqind të incidenteve të raportuara nga dhe për fëmijët në iSIGURT. Çdo muaj raportohen të paktën 20 incidente online nga fëmijët.
- Rreth 62 përqind e të gjitha incidenteve të raportuara në iSIGURT.al janë bërë nga vajzat, dhe rreth 34 përqind nga djemtë. Për herë të parë vajzat po raportojnë thuajse 2 here më shumë se djemtë incidente gjatë navigimit të tyre online.
- Grup-mosha e raportuesve vijon të udhëhiqet nga adoleshentët e moshës 15-18 vjeç, të ndjekur nga ata të grup-moshave 18-30 vjeç dhe 11-14 vjeç.
- Tik-tok dhe Instagram janë dy platformat të cilat fëmijët i kanë raportuar më shpesh për incidente online, me 47 dhe 27 përqind të rasteve, krahasuar me platformat e tjera.
- Bullizmi online është incidenti më i raportuar nga fëmijët dhe adoleshentët, në rreth 35 përqind të rasteve, të ndjekur në 21 përqind të rasteve nga gjuha e urrejtjes dhe 15 përqind shantazhe dhe kërcënime online. Dhuna, ngacmimet dhe shfrytëzimi seksual online ka kaluar në vend të katërt të incidenteve të raportuara, ndërkohë që deri në vitin e kaluar përbënte incidentin kryesor të raportuar nga fëmijët dhe adoleshentët.
Ndërkohë që Raporti mbi Gjuhën e Urrejtjes ndaj Vajzave dhe Grave në Shqipëri, paraqiti si gjetjet e tij kryesore të dhënat e mëposhtme:
- Thuajse 46 përqind e incidenteve të raportuara tek iISIGURT janë bërë nga gratë dhe vajzat. Gjatë vitit 2023 ato përbëjnë thuajse 60% të incidenteve të raportuara.
- Grupmosha kryesore që ka raportuar incidente të gjuhës së urrejtjes është 14-17 vjeç e ndjekur nga ajo 18-24.
- Thuajse gjysma e të gjitha incidenteve janë bërë nga grad he vajza që banojnë në Shqipërinë qendrore, ndërsa përqindja e atyre në veri mbetet ende e ultë. Tirana, Durrësi, Fieri dhe Korça kanë raportuar numrin më të madh të incidenteve;
- Gjuha e urrejtjes në mënyrë të drejtëpërdrejtë mbetet incidenti kryesor i raportuar nga vajzat dhe gratë, e ndjekur nga kërcënimet dhe bulizmi që përdoret për qëllime të nxitjes së urrejtjes. Në 11 raste, materialet me përmbajtje të dhunës seksuae ndaj fënijëve janë përdorur për të nixtur urrejtjen ndaj vajzave apo grave të reja. Pornografia hakmarrëse është përdorur vetëm në një rast ndaj një personazhi të njohur public.
- Platformat kryesore ku ndeshen incidentet e gjuhës së urrejtjes janë Instagram dhe Tiktok, të ndjekura nga platforma në gjuhën shqipe.
Të dyja vëzhgimet në versionin e plotë të tyre do të bëhen publike dhe do të jenë të disponueshme në faqen iISIGURT.al